Bashkëpunimi me media i rëndësishëm për promovim të inovacionit

Prishtinë, 8 mars 2018 - Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj e ka vizituar Radio Televizionin e Kosovës, me qëllim të bashkëpunimit me mediumin publik në fushën e promovimit të inovacionit, në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Ministri Beqaj është takuar me drejtorin e RTK-së Mentor Shala, më të cilin ka bashkëbiseduar për mundësitë e bashkëpunimit të dy institucioneve në fushën e promovimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë. Gjithashtu ministri Beqaj është informuar nga z. Shala për avancimin teknologjik që ka bërë dhe po vazhdon të bëjë RTK-ja, në veçanti në aspektin e teknologjisë informative dhe digjitalizimit.

Në fokus të vizitës së ministrit Beqaj ka qenë edhe vizita në hapësira e RTK-së dhe të departamenti që merret me aspektet e teknologjisë brenda këtij mediumi.

Pas vizitës, ministri Beqaj ka thënë së qëllimi i vizitës është mundësia e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me RTK-në funksion të promovimit të inovacionit dhe punës së ndërmarrësve të rinjtë të kësaj fushe.

“Jam këtu në emër të të gjithë inovatorëve që të bëjmë një marrëveshje për bashkëpunim dhe promovim të këtij sektori. Besoj që e ardhmja ekonomike mbi bazën e zhvillimeve që janë duke u bërë gjatë këtyre viteve është ekonomia digjitale”, tha ministri Beqaj.

Ndërkaq drejtori i RTK-së Mentor Shala ka deklaruar se me ministrin kanë bashkëbiseduar për bashkëpunim me qëllim të promovimit të njerëzve inovatorë dhe që kanë ide, që në Kosovë janë të shumtë. Ai tha se  RTK do të prodhojë program i cili është në interes të Kosovës dhe në të cilin edhe Ministria e Inovacionit do të mund të ndihmonte.

​