Besim Beqaj: Agjenda digjitale qëllim i vizitës në Shkup

Me qëllim të uljes së tarifave të roamingut të telefonisë mobile në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë z. Besim Beqaj ka qëndruar sot në Shkup.

Ministri Beqaj, në takimin zyrtar me Ministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për Shoqëri të Inofmacionit dhe Administratë, z. Damjan Mancevski, ka diskutuar rreth tarifave të roamingut, por edhe për çështje të tjera që lidhen me Agjendën Digjitale të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Ky takim vjen pas takimit me Komisioneren znj. Gabriel, ku u zotuam për një qasje të përbashkët rajonale mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për digjitalizim”, deklaroi Beqaj.

Ndër të tjera në këtë takim dypalësh u bisedua për Qasjen Rajonale, qytetet e mençura, të dhënat e hapura, sigurinë kibernetike, fuqizimin e grave si dhe për konferencat e samitet që do të organizohen në nivel rajonal.

“Kujtojmë se, në muajin Prill të këtij viti, do të mbahet Samiti Digjital i radhës, ku pritet ta përmbushim një nga detyrat që dalin nga Agjenda Digjitale e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Komisionerja Mariya Gabriel, nënshkrimi i marrëveshjes për uljen e tarifave të roamingut”, ka shtuar Beqaj.

Ministri Beqaj, gjithashtu uroi Ministrin Mancevski për arritjen e marrëveshjes për emrin me Greqinë, duke theksuar se kjo i ka hapë rrugë anëtarësimit të Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.