Investimet në Zhvillim të Digjitalizimit bashkuan në Prishtinë krerët e Inovacionit të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë

Ministri Besim Beqaj, zhvilloi sot takim me Ministrin e Shoqerisë Informative dhe Administratës së Maqedonisë, z. Damian Manchevski dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë së Përgjithshme të Shoqerisë së Informacionit të Shqipërisë, znj. Mirlinda Karcanaj.

Ministri Beqaj deklaroi se ky takim i nivelit rajonal i ka bërë bashkë për një projekt konkret, projekt ky shumë i rëndësishëm të cilin shumë shpejt do ta dorëzojnë në Bashkim Evropian.

“Ne shumë shpejt do të takohemi me Komisioneren znj. Gabriel, së cilës do t’ia prezantojmë projektin tonë të përbashkët. Ky projekt kap vleren prej 20 milion euro dhe do t’i ndihmoj jashtëzakonisht vendet tona të zhvillohen tutje”, theksoi i pari i MIN.

Ndërkaq, në deklarimin e saj Drejtoresha Karcanaj, tha se është shumë e lumtur për këtë projekt të përbashkët. “Uroj që projekte të tilla me rëndësi për vendet e ballknit të vazhdojnë. Shpresoj që kësaj iniciative t’i bashkohen edhe shtetet tjera”.

Kurse, Ministri maqedonas Manchevski, duke shprehur kënaqësinë e madhe për këtë projekt dhe bashkëpunimin mes tri shteteve, tha se vetëm të bashkuar mund t’i zhvillojmë vendet tona dhe të ardhmen e tyre. Ai poashtu përmendi marrëveshjen për roaming mes shteteve si diçka shumë të rëndësishme për ekonomitë tona. “Përfundimisht do ta bëjmë Qendrën Rajonale për Siguri Kibernetike, një hap shumë i rëndësishëm për të gjithë”, përfundoi Manchevski.

Disa nga çeshtjet shumë të rëndësishme pjesë e këtij projekti janë: Marreveshja Rajonale për Kostot e Roamingut, Cloud për Hulumtim dhe Zhvillim, fuqizimi i grave, Smart City, Open Data, Internet of Things, Qendra Rajonale për Siguri Kibernetike, etj.

Ndryshe, iniciativa e tri shteteve, është projekt i cili do të prezantohet këtë muaj para Komisioneres Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, znj. Mariya Gabriel.