Ministri Beqaj jep dorëheqje: Drejtësia do ta konfirmoj se akuza është e pa bazuar në fakte dhe argumente ligjore

Prishtinë, 20 qershor 2019- Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ka thënë në një konferencë për media se, sot ia ka dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj dorëheqjen nga funksioni i ministrit, duke thënë se është rezultat i diskutimeve të përbashkëta në lidhje me veprimet që duhet ndërmarrë për të argumentuar vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Fillimisht dëshiroj të reflektoj shkurtimisht në lidhje me vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse të PDK-së, pjesë e së cilës jam edhe vetë, që të eliminohen paragjykimet dhe akuzat me pretendime, në lidhje me proceset gjyqësore të zyrtarëve të PDK-së”, tha ministri Beqaj.

Ai theksoi se në rastin e tij, është plotësisht i bindur se këto akuza janë të pa bazuara në fakte dhe argumente ligjore dhe që drejtësia do ta vërtetoj këtë.

“Është parim bazë i drejtësisë që çdokush është i pafajshëm përderisa të mos provohet e kundërta, e ftoj secilin që ta respektoj këtë parim. Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time duke u bazuar në prova dhe fakte të argumentuara”, deklaroi Beqaj.

Ministri Besim Beqaj theksoi se, vepra për të cilën gjykohet është “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, dhe se nuk ka asnjë element të veprës së korrupsionit.

“Ashtu siç e ka vërejtur edhe publiku i gjerë, aktakuza për të cilën unë përballem ka një mal të metash dhe që në fillim është aplikuar drejtësi selektive. Për detajet do të flasim në Gjykatë dhe ju ftoj ta përcjellni me vëmendje të plotë këtë proces dhe mund ta siguroj secilin se në rast të një procesi të drejtë gjyqësor, objektiv dhe të paanshëm, unë do të lirohem nga aktakuza. Andaj, ky nuk është vendi ku duhet te diskutojmë për përmbajtjen e aktakuzës, por vetëm në Gjykatë”, tha ai.

Ministri Besim Beqaj theksoi se gjatë angazhimit të tij, publik dhe privat është udhëhequr nga dy parime themelore: zbatimi i ligjeve dhe profesionalizimit.

“Jam shumë krenar për projektet e mëdha të cilat i kam realizuar: përafrimi i agjendës me BE-në, jetësimi i prioriteteve për zhvillim ekonomik duke u mbështetur në stabilitetin makro fiskal, si dhe duke vendosur në qendër të vëmendjes së politikë-bërjes inovacionin dhe ndërmarrësinë - për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë tonë”, tha Beqaj.

Ai përmendi se gjatë mandatit në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka arritur të themeloj dhe funksionalizoj një institucion, i cili mbetet i hapur për bashkëpunim ndërkombëtarë me partnerët tonë, si dhe bashkëpunim vendor me sektorin privat, shoqërinë civile dhe mediat”, shtoi Beqaj.

Ndër të arriturat në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Beqaj përmendi se është hartuar legjislacion dhe politika strategjike për të vendosur në pah inovacionin dhe ndërmarrësinë, është ndërtuar infrastruktura e nevojshme ku ndërmarrësit e rinj mund ta jetësojnë ëndrrën e tyre për ndërmarrësi dhe inovacion dhe janë krijuar instrumentet financiare, përmes fondit të inovacionit, i cili ka përkrahur shumë të rinj dhe të reja.

Beqaj, shprehu besimin se edhe kjo sfidë do të kalohet shumë shpejtë dhe të dal e vërteta e pakontestueshme.

“ I bindur që ky proces së shpejti do të marrë një epilog dhe për secilën akuzë do të faktohet së unë nuk kam bërë shkelje të ligjit”, përfundoi ministri Besim Beqaj, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët brenda dhe jashtë Institucioneve dhe mediat.