Ministri Beqaj në Ferizaj: Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj është fillim i ri për qytetin e Ferizajt dhe për Kosovën

 Prishtinë, 11 maj 2018 - Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komuna e Ferizajt, në një ceremoni të organizuar sot në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, kanë nënshkruar Memorandum mirëkuptimi për financimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në këtë qytet.

 Në Ferizaj, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka deklaruar se Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë mundësi e mirë për ferizajasit, në veçanti për të rinjtë, që t’i zhvillojnë idetë e tyre inovative dhe t’i përdorin ato në dobi ekonomike për vendin.

“Qendra  e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj është fillim i ri për qytetin e Ferizajt dhe për Kosovën”, tha ministri Beqaj.

 “Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është e fokusuar në vizionin e saj që Kosova të jetë qendër e inovacionit në Ballkanin Perëndimor. Nuk është e lehtë për të arritur, por me dije që ka rinia jonë dhe me rritjen e shpejtë që ajo po bëjnë në këtë fushë, po na tregon se investimi në dije dhe inovacion dhe rritja ekonomike bazohen në resurset njerëzore të cilat e çojnë përpara vendin”, shtoi ministri Besim Beqaj, para pjesëmarrësve të shumtë në këtë ngjarje.

Ministri Beqaj ka folur edhe për mundësitë financiare që ka MIN për përkrahje të indeve inovative dhe ato në fushën e teknologjisë, duke theksuar se penetrimi i internetit në nivel të lartë në Kosovë, duhet të përdoret në dobi ekonomike për  vendin.

Në këtë ceremoni ka folur edhe kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili në fjalën e tij e ka falënderuar ministrin Beqaj për përkrahjen në themelimin e Qendrës së Inovaconit dhe Ndërmarrësisë.

“Qeverisja ime ka fat dhe si kurrë më parë ka mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në krye me Besim Beqajn, i cili që në ditën e parë të qeverisjes sime ka realizuar një vizitë në Ferizaj, duke garantuar fillimin e këtij projekti kaq të madh për komunën tonë”, tha kryetari Aliu.

Në ceremoni kanë folur edhe zëvendës rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajt, Florim Loku, si dhe Agon Avdimetaj në emër të ICK-së dhe Zombie Soup.​