Ministri Beqaj takoi përfaqsuesit e Bankës Botërore

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ka pritur sot në takim përfaqsuesit e Bankës Botërore, të prirë nga Gloria La Cava koordinatore e lartë e programit me bazë në Washington, me të cilët ka biseduar në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit. Z. Beqaj më këtë rast ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim me këtë institucion në fushat si përkrahja e inovacioneve dhe ndërmarrësve, me fokus tek të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse.

Përfaqsuesit e Bankës Botërore në Kosovë u shprehen të kënaqur me themeilin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ata, po ashtu u interesuan në lidhje me fushëveprimtarinë e Ministrisë, si dhe prioritetet e saj.

Në këte kuadër Ministri Beqaj i ka informuar mysafirët për objektivat e MIN sa i përket përkrahjes së inovacioneve dhe ndërmarrësve, përmes fondit për inovacion dhe ndërmarrësi, i cili do të përdoret si mbështetje bazike që do të mundësojë rritjen e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrësve privatë, në veçanti atyre që udhëhiqen nga të rinjtë dhe grate.

Z. Beqaj më tej ka theksuar se prioritet i Ministrisë është edhe themelimi i Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, të cilat do të mundësojnë inkubimin e bizneseve, rritjen e kapaciteteve të tyre dhe përgatitjen për konkurrencë efikase me mundësi të eksportit.

“Nga totali i buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm prej 10 milionë euro, 9.5 prej tyre do të përdoren për përkrahje të inovacioneve dhe ndërmarrjeve private në tri shtylla kryesore: në edukim përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore, infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe në ndihma direkte në formë të subvencionimit”, tha Ministri Beqaj.

Në fund të takimit Ministri Beqaj dhe përfaqsusesit e Bankës Botërore u shprehën të gatshëm për bashkëpunim në të gjitha fushat, sidomos në atë të ofrimit të konsulencës dhe përkrahjes tjetër të nevojshme.