Ministri Besim Beqaj: Konferenca “DIGITALKS” ka karakter ekonomik dhe vjen pas lansimit të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian

Në Prishtinë ka hapur punimet Konferenca “DIGITALKS”, e para e këtij lloi, organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Në këtë konferencë po marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga BE-ja, rajoni dhe Kosova.

Në ceremoninë hapëse të “DIGITALKS”, Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka folur për rëndësinë e Konferencës, me theks të veçantë për synimet e saj. “Konferenca synon të jetë një konferencë vjetore që mbledh më shumë se 1,000 palë të interesuara, politikë bërës të nivelit të lartë, akademikë dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët do të ndajnë dhe shkëmbejnë praktikat dhe politikat më të mira për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, me fokus të veçantë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Ministri Beqaj. Ai ka thënë po ashtu se Konferenca “DIGITALKS” ka karakter ekonomik dhe vjen pas lansimit të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian.

“Ekonomia e internetit po krijon pesë vende pune online për çdo dy vende pune të humbura offline. Çdo vit, ekonomia digjitale e BE-së po rritet me 12%, në kushtet kur sektorët tjerë po shënojnë rënie. 7 milionë vende pune po krijohen në vendet e BE-së në sektorin e TIK-ut. Investimi në teknologjitë e avancuara në vendet e BE-së po e rritë për 50% shkallën e produktiviteti”, theksoi Ministri Beqaj.

Në ceremoninë hapëse të Konferencës “DIGATKS” para të pranishmëve ka folur edhe ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë znj. Senida Mesi, znj. Justina Mutale - Presidente e ”Justina Mutale Foundation”dhe z. Nicholas Langridge – Zëvendëspresident për avancimin i Universitetit James Madison të SHBA-ve.

Konferenca Ndërkombëtare “DIGITALKS”, e organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të vazhdojë edhe neser në ditën e dytë me pjesën politike dhe ekspertizën profesionale ku në pesë panele do te diskutohet për temat: “Ekonomia Digjitale- shtytës i zhvillimit ekonomik“, “Roli i Inovacionit në të ardhmen e dixhitalizimit për vendet e Ballkanit Perendimor”, “Ndikimi i Inovacionit dhe Teknologjisë në rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat”, “Ndikim i Inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit në mes të sektorit privat dhe komunitetit të shkencës”, si dhe “ Parku Gjermano-Kosovar për Inovacioni dhe Trajnime”.

Punimet e dtës së dytë të Konferencës do të fillojnë nesër nga ora 10:00, në Hotel Emerald në Prishtinë. Para pjesmarrësve të Konferencës do të flasin: Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësise Besim Beqaj, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës z. Enver Hoxhaj, Komisionerja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Dixhitale znj. Mariya Gabriel.