Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të financojë projektin “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës”

Prishtinë, 17 tetor 2018 - Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Universiteti “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar sot Memoramdum bashkëpunimi për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP”. Nënshkrimi i Memorandumit në një ceremoni rasti është bërë nga Ministri Besim Beqaj dhe Rektori i Marjan Dema.

Me këtë rast ministri Beqaj ka deklaruar se kjo Qendra do të shërbejë për lidhjen e dijes e shkencës me ekonominë dhe do t’ju shërbejë profesorëve, studentëve dhe të rinjve që kanë nevojë për aftësim profesional. 

“Që nga themlimi i Ministrisë synim i yni ka qenë që Universiteti të bëhet me një qendër për inovacon dhe ndërmarrësi, e cila do t’ju mundësonte studentëve dhe profesorëve të punojnë bashkë me ekonominë, ku profesorët dhe studentët do të kenë mundësi t’i trajtojnë problemet e sektorit privat”, theksoi Ministri Beqaj.

Ai ka thënë po ashtu se Mininistria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në bazë të marrëveshjes do të financojë me rreth 800 mijë euro meremetimin e dhe paisjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, që gjendet në hapësirët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Ndërsa Rektori Marjan Dema ka folur për rëndësinë e Qendrës për Universitetin në kuadër të reformave që po bëhen.

“Qendra do të jetë një urë lidhëse e cila do të ofrojë trajnime të ndryshme, lidhjen e njohurive të të rinjve me biznesin. Do të shërbejë që të krijojmë studentë inovativ dhe kreativ. Jemi të interesuar që ta bëjmë atë transformimin e studentit, që të mos pret punë nga qeveria por nga vetja”, tha z.Dema.

Memorandumi për projektin “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP” ka vlerë rreth 800 mijë euro, mjete këto të ndara nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë më qëllim të meremetimin dhe pisjes së hapësirës së destinuar për këtë Qendër në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.​