Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë lansoi fondin prej 4 milionë euro për përkrahjen e ndërmarrjeve

Prishtinë, 18 shtator 2019 - Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala ka lansuar të mërkurën Fondin për mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme (NMVM), në vlerë prej 4 milionë euro.

Ai tha se pas përkrahjes financiare që  kanë ofruar për bizneset fillestare Start Up, procesi për mbështetjen e NMVM-ve do të jetë edhe më kredibil dhe transparent.

 “Ky program përkrahë ndërmarrjet që kombinojnë njohuritë, kapacitetet, aftësitë dhe resurset për të zhvilluar konceptin e inovacionit brenda ndërmarrjes, për të stimuluar përmirësimin e proceseve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, qasjen në financa, rritjen e potencialit për eksport. Vlera financiare e fondit për këtë skemë është 4 milionë euro”, ka treguar ministri Muzafer Shala.

Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala ka treguar edhe për ndërmarrjet të cilat mund të përfitojnë.

“Përfitues do të jenë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të cilat kanë ide inovative për zhvillimin e biznesit, si dhe kanë të punësuar deri në 249 punëtorë sipas kategorizimit të ndërmarrjeve bazuar në madhësi, rregulluar edhe  me ligjin për investimet e huaja”, theksoi ai.

Fondi i lansuar sipas ministrit Shala përkrahë me prioritet sektorin privat me qëllim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, i bazuar në ekonomi të dijes, risi në prodhim apo përpunim, digjitalizim të sektorëve, si dhe zhvillimin e proceseve me teknologji të reja.

“Fushat, të cilat do të përkrahen me prioritet janë prodhimi dhe përpunimi, shërbimet në fushën e TIK-ut. Kurse nivelet e financimit të cilit do të jenë niveli i parë deri në 30 mijë euro, niveli i dytë i financimit është deri në 70 mijë euro dhe niveli i tretë i financimit është 100 mijë euro”, tregoi ministri Shala.

Sipas tij, programi financiar që është lansuar synon t’i përkrahë idetë inovative të të bërit biznes, dhe do të jetë proces me transparencë maksimale.

 “Ne do tu dërgojmë ftesa të gjitha misioneve të huaja në Kosovë, organizatave jo qeveritare, akademisë dhe të gjithë palëve të interesuara që të jenë pjesë e procesit të vlerësimit në cilësinë e vëzhguesve – kjo me qëllim të rritjes së transparencës. Po ashtu lista preliminare do të dërgohet në Agjencinë Kundër Korrupsionit për tu siguruar se nuk ka pasur asnjë lëshim gjatë procesit”, ka bërë të ditur ministri Muzafer Shala.

Po ashtu, ministri Shala ka bërë lansimin e dy platformave, asaj për regjistrimin e ndërmarrjeve shërbyese të cilat ofrojnë shërbime jashtë vendit në fushën e Teknologjisë së Informacionit si dhe platformës për regjistrimin e kuadrove të cilët punojnë në kompani të mëdha në botën e jashtme.